Kopshti “Fidani” në Komunën e Çairit u mbush me momente gëzimi dhe atmosferë festive, ku fëmijët, stafi edukativ dhe drejtoreshë e kopshtit, znj. Gezime Bakiu, shpërndanë pako festive dhe ndanë gëzim me njëri-tjetrin. Ky aktivitet ishte një mundësi për të sjellë një buzëqeshje në fytyrat e fëmijëve dhe për të shpërndarë gëzim në prag të festave të fundvitit.

Gjatë aktivitetit, mori pjesë edhe Ministri i Politikës Sociale, z. Fatmir Limani, i cili u bashkua me fëmijët dhe stafin në këtë moment të veçantë. Prania e tij e shtoi edhe më shumë ngrohtësinë dhe festën e kësaj ngjarje, duke theksuar angazhimin e institucioneve për përmirësimin e kushteve për zhvillimin e fëmijëve.

Kryetari i Komunës së Çairit shprehu kënaqësinë për angazhimin e stafit të kopshtit në krijimin e një ambienti të sigurt dhe edukativ për fëmijët tanë. Ai theksoi rëndësinë e investimeve të vazhdueshme në zhvillimin e brezit të ri, duke vlerësuar se fëmijët janë e ardhmja e shoqërisë dhe është detyra jonë t’u sigurojmë mundësi për rritjen dhe zhvillimin e tyre.

Në fund, Kryetari i Komunës shprehu urimet më të sinqerta për një vit të ri me shëndet, lumturi dhe mundësi të reja për të gjithë fëmijët dhe familjet e Çairit, duke uruar gjithashtu Festat e Fundvitit për të gjithë.